Sunday, June 8, 2008

Fjalët e fundit të Ndoc Gjetjes

Fjalët e fundit të Ndoc Gjetjes: Duhet rrit ndera grues!

Nga VIOLETA MURATI


Në bibliotekën modeste, gjetëm të fshehur librin e fundit, në dorëshkrim: Të krijosh duke Krishtëruar, mbresat pse po bëhej gati libri, bashkë me portretin e miqve


“Duhet rrit ndera grues, sepse më ka nejt, nja aty, si furrik pule, te kambët”... fjalët e fundit të Ndoc Gjetjes, thënë dashamirësve për bashkëshorten e tij, tamam siç ishte zakoni vetëm tri ditë para se të mbyllte sytë. Leza, e veshur e gjitha në të zeza, me kokën ulur, e fytyrën rrethuar me copën e zezë, ku sytë mezi fshihen nga lotët, pak larg kokës së bashkëshortit të saj, - jo siç e kanë zakon ato anë, ngre dorën, e përshëndet, e vazhdimisht thotë: “Falemners të gjithëve! Falemners që erdhët!”.

E duke u përpjekur me gjet ndonjë moment të lirë, biseda me të është krejt e pamundur. Duke i shprehur ngushëllimet, e pyesim se çfarë ka qenë në jetën e saj Ndoci, shtang, dridhet nga mospërmbajtja, me zë tepër të ulët, në paradoks të vuajtjeve të tyre, sikur ta kishin dashur atë, na pëshpërit: “Kemi kaluar shumë mirë, kemi pas shumë fatkeqësi... e vështirë të flas”. “E dita e tij, ishte vetëm të shkruarit; krijonte, shkruante gjithë ditën”, - thotë Leza, dhe mblidhet grusht, e dora i fsheh fytyrën, nga lotët dhe dridhja e zërit.

Holli i lartë, i mbajtur i bibliotekës publike të qytetit të Lezhës priste njerëz, gra në të zeza dhe miq e të afërm të Ndoc Gjetjes. Ishte ceremoni përcjelljeje e organizuar nga Bashkia e Lezhës, ku në mjediset e bibliotekës publike, parulla e shkruar blu në të kuqe, në ballë të portës, mu aty ku ishte vendosur arkëmorti i poetit, shkruante: “Mirësevini në bibliotekën tonë!”.

Dje, nuk ishte ditë për mirë për të qenë aty. Vendosur në një anë njerëzit e familjes, kryesisht gra në të zeza, në anë tjetër, rreshti i pritjes nga burrat... dhe ishin poeti Preç Zogaj, studiuesi dhe mik i afërt i Ndoc Gjetjes, Kujtim Dashi e ky na tregon se aty kanë bërë homazh gjithë pushtetarët lokalë dhe qytetarë të Lezhës, e shkrimtarë lezhjanë, të ardhur dhe nga Tirana. Nuk kishte gëlim kamerash, si në ditë morti, në lajmet e zeza të kryeqytetit, kur personalitete të kulturës janë përcjellë.

Dhe ceremonia e këtij poeti në Lezhë, ndonëse dje pëshpëritej se vdekja mori një njeri të jashtëzakonshëm, plot dhembshuri, një njeri special, të dhënë pas njerëzve, gati një fytyrë me Krishtin, si në vuajtje dhe dashuri, se në lagjen e tij në “Skënderbeg”, çdo ditë përshëndetje me komshinjtë e tij, që ishin magjypë e u shërbente kafe e raki... ky poet dje nuk pati aq jehonën e ikjes, si qytetar, por si duket zyrtarët nuk e kishin lodhur shumë mendjen që poeti të mos harrohej për herë të fundit. Ishte ceremoni modeste, heshtje në hollë dhe njerëzit e tij të afërt, bënin kryqin në krye, e puthnin në ballë, e lëshonin duart e ngushëllimit. Nga Tirana, poetët e Lezhës ishin të paktë, po ashtu dhe ata që mbahen e nderojnë veprat e njëri-tjetrit në kryeqytet nuk u panë. Ndryshe do të kishte qenë puna po të kishte sosur jetën Ndoc Gjetja në Tiranë, si njeri i projekteve në ministri, apo bisedave intelektuale në televizione. Na u desh të shkonim deri në shtëpinë e tij, të shikonim si u bë legjendë vuajtja, dhimbja dhe mirësia e këtij njeriu. Nipi i tij, Endri, që vinte nga emigrimi, na shoqëroi deri në shtëpi, nga biblioteka drejt rrugës plot pluhur, zhurmë, pisk vape në shtëpinë ku në pragportë qëndronte një grua në të zeza. Ishte komshia dhe karrigen e kishte vendosur gati në rrugë, për të pritur njerëzit, e ruajtur shtëpinë... Duhej të zbrisje disa shkallë, pak si në bodrum dhe shtëpia ishte krejt e re... Gruaja në të zezë, e ulur te dera, nxitoi të na thoshte; është ndërtuar tani, se ka qenë kasolle, vetëm kati i parë, por e mbytën shirat. Kështu na tha dhe drejtori i Parkut Arkeologjik të Lezhës, Salvador Gjeçi, I cili bashkë me piktorin lezhjan, Pashk Përvathi, kanë qenë iniciuesit e ndërtimit të shtëpisë, para tre vjetësh. Mbahet mend si një nga rastet e jashtëzakonshme në këtë qytet, ku plot dashamir të poetit, krijuan një fond për mbështetje, diku në 15 milionë lekë (të vjetra). Gjeçi, tregon miqësinë dhe njëkohësisht njeriun që ishte tek Ndoc Gjetja, se si u shërbente kafe komshinjve të tij, magjypëve, të ardhur në atë lagje nga verilindja, pas ’90-ës. “Qëndrimi që ka mbajt qyteti ndaj tij ka qenë jashtëzakonisht dashamir dhe nuk ka ndodh në asnjë qytet tjetër”, - thotë Salvadori, i cili kujton se Ndoci jetonte në një kasolle, ku muri ishte bërë jeshil në të zezë nga lagështira, gati në bodrum. Iku nga shtëpia nga ky hall, sepse nuk mund të jetonte më aty dhe mori një shtëpi me qira. Po në këtë vite u sëmur dhe zuri spitalin. I themi, se mos lagështira ishte shkaku i sëmundjes së Ndocit, por Salvadori tund kokën si mohim, duke thënë se ka plot vuajtje më të mëdha, të tjera, që padyshim ishte vdekja e të birit, në ’97-ën. Plot halle të tjera, e në këto kushte, në spital dhe në një shtëpi me qira, pa punë me një pension... Gjeçi thotë se takoi piktorin, Pashk Përvathi, duke i propozuar nismën, dhe me to u mblodhën edhe biznesmenë lezhjanë. Dhe u ndërtua shtëpia. Në portën e vogël, kube, ishte emri i kryefamiljarit dhe ngjitur në murin e ngushtë të saj, emri i Ndoc Gjetjes, që nuk ishte më. “Të paktën në vitet e fundit jetoi me dinjitet, i qetë. Ishte një njeri i veçantë”, - e mbyll Salvadori, dhe ai në ndjesi krenarie se kishin bërë për këtë njeri, sa ishte gjallë dhe tani kishin ç’të tregonin, pa i zënë turpi për lezhjanin e tyre, poet.

Në katin e dytë, të shtëpisë, në qoshkën e vogël, vetëm një karrige kauçuku dhe përballë një raft modest, i vogël, ngjeshur me libra, për të cilën miqtë e tij na treguan, se në Balldren, ku kishte jetuar deri në ’93, Ndoci kishte pasur një bibliotekë të rrallë, të madhe, me libra unikë, por shtëpia ishte përmbytur më gjithë to, dhe tani në shtëpinë e tij në Lezhë janë vetëm libra të fundmë... gruaja që rrinte në pragun e shtëpisë, si pritëse, na thotë, se mu aty te qoshku, përballë raftit të vogël me libra ka qenë një tavolinë ku drejtuar nga dritaret, ulej e shkruante Ndoci. “Por e kanë hequr për mort”, - na tha.

Nipi i poetit, hap kanatet e bibliotekës së vogël, na tregon albumin e fotove, një kërshëri e tij, e nxitur dhe prej nesh, pasi ishim për herë të parë aty... kur në një kopertinë të zezë, marrë prej ndonjë kalendari, që shënonte vitin 2007, në copa letre, të ngjitura, e disa të shkitura, mbi karton gri, mbushur me shënime, me shkrim dore shkruhej: Të krijosh duke Krishtëruar.

Ishte një punë e përfunduar, ishin vënë tituj, bërë korrigjime me shkrim dore, prishur e nënvizuar... por e palidhur, fletë që ndaheshin në kapituj, e sipër tyre ishin shënime, si tituj, me laps e përforcuar me stilolaps: “Mbi jetën time”, Ndoc Gjetja për veten.

Një biografi për veten, copa letra të ngjitura, të korrektuara, nga dorëshkrimi i botimit të parë; diku tjetër shkëpusim një fjali... “Jeta e njeriut është e shenjtë asnjë grimcë e saj nuk duhet t’ia falësh djallit”; rreth procesit krijues të poezisë, refleksione, mbi “unë poezinë nuk e kam shkrimtarësi por shprehësi”, ese që po e ribotojmë nën kujdesin e Kujtim Dashit, i vetmi që është marrë me krijimtarinë e Ndoc Gjetjes; Si duhet ta lexojmë poezinë - “Mungesa e gjendjes poetike nuk mbushet me fjalë”; ka mbledhur çfarë ka shkruar vetë, intervistuar, dorëshkrime, intervista nga mediat.

Në dy kapakë, fletë të hollë, të bardhë me shkrim dore shkruhej: “Portrete miqsh”, emrat e poshtëshënuar janë: Ismail Kadare, Petro Zheji, Petro Marko. Ndërsa njihet miqësia e tij me shkrimtarin lezhjan, Rudolf Marku, i cili pritej dje të vinte nga Londra:

“Rudolf Marku pas Agim Isakut është njeriu që kujtoj shpesh herë. Kam rreth 13 vjet pa e takuar dhe nuk di ku rron e si rron. Në kohën e monizmit kemi derdhur shumë lumenj bisedash thuajse përditë e për gjithçka, Që nga problemet e galatikave e deri te kotherja e bukës”... Rudolf Marku është nga miqtë më të përmendur në librin-projekt, dorëshkrim, mbështjellë me karton gri, e siguruar me kopertinë të trashë të zezë - ndërsa një foto me Kadarenë shkëpusim nga albumi i tij fotografik, e paralel për njohjen me Kadarenë, Ndoc Gjetja kujton: “Në 1985 me rastin e botimit e romanit “Dimri i madh” në Gjermani nga shtëpia botuese “Neus Verlag” u ftua për një vizitë 3-javore shkrimtari ynë, Ismail Kadare. Me të pata rastin më fatlum të shkoja edhe unë. Është e vërtetë se këtë rast fatlum ma përgatiti kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, Dritëro Agolli i nxitur nga dëshira e tij fisnike për të më hapur horizontin tim si krijues... Mbresat janë të shumta por vë në spikamë ato që më janë ngulitur më thellë”. Askush nga miqtë në ceremoninë mortore nuk dinin mbi këtë libër të përgatitur, e të lënë në bibliotekën e tij modeste, brenda raftit. Ndërsa Ndoci vazhdon vëmendjen ndaj miqve, e për këtë gjejmë të mbledhur, e rreshtuar në librin e tij, “Të krijosh për krishterimin”, edhe poezitë që i janë kushtuar atij, poetit, e të bien në sy poezia e Rudolf Markut, apo e mikut tjetër, Kolec Traboinit. Libri është mjaft i trashë, e duket voluminoz, pasi aty Gjetja si duket ka dashur të përmbledhë gjithë jetën e tij, ashtu siç është shprehur në media, se mjafton një libër jete. E përket arsye aty gjejmë dhe kapitullin “shkolla poetike e Lezhës”, “Sfida, poetike”, “Sofra poetike e Lezhës” dhe na tërheq vëmendjen një fjali në krye, nën shënimin “Mbresa”, vizita e parë në Kosovë, Gjetja shkruan: “Zemra më rrihte fort, më dukej e papërcaktuar ndjesia që provoja thellë në shpirt. Në këtë ndjesi ishin të përziera lëmshi emocional, shija që të jep shkelja në një tokë, e cila ka qenë e ndaluar gjatë gjithë jetës për shkaqe krejt absurde. Gëzimi që po takohesha me truallin e ndaluar të dheut amë, të copëtuar nga një padrejtësi historike, padurimi derisa të përqafosh njerëzit me të cilët ke të përbashkët gjakun, dhe gjuhën por që nuk ke pasur kurrë rastin t’jua shtrëngosh dorën. Një farë bezdisjeje, për të takuar oficerët dhe nëpunësit sllavë me atë gjuhën e tyre kërcitëse, gjithë bashkëtingëllore br, pr etj…”. Thuhej se asnjë vizitë tjetër nuk do t’i vinte në mbresë sa Kosova.

Studiuesi Kujtim Dashi, i vetmi që ka përgatitur monografinë e Ndoc Gjetjes, na thotë se do t’i botojnë në një libër të plotë të gjithë krijimtarinë, ose do të jetë një kolanë, kjo sipas fjalëve me botuesin e “Toenës”. E në këtë rast, për ironi në mjediset e Ministrisë së Kulturës dje në orën 11 po ndaheshin çmimet për botuesit, për më të mirin, duke vlerësuar kujdestarin, shtetin, por asnjë nderim, një shenjë, a fjalë në ceremoni nga bizneset e librit, për shkrimtarin, për këtë poet të harruar në Lezhë. Nga ky paradoks zyrtar, miku i poetit, që qëndronte gjithë kohës në krye të rreshtit të burrave, Kujtim Dashi, tha se i ka thënë bashkëshortes së Ndocit, të mos prekë asgjë nga ç’ka lënë dorëshkrime. “Do më duhet ta kontrolloj fletë për fletë”, - thotë. Nga fundi i librit, një shënim “Autografe poetësh, kolegë”, emrat e tyre ishin Rudolf Marku, Preç Zogaj, Ismail Kadare, Xhevahir Spahiu, Frederik Rrepshpja, Ramiz Lika etj., kapitulli i fundit mbyllej me fjalinë: thelbi i poezisë sime është Lezha. Rrallë na vijën dedikime të tilla; qytete dhe njerëz. Largohemi nga shtëpia, duke e lënë bosh, pa njerëz, dhe rikthimi në bibliotekën publike të Lezhës, ishte deri në përcjelljen e fundit të poetit, drejt varrezave të qytetit. Mbi varrin e poetit, vajtuan dy gra, pak fjalë, dhe duart me dhe nuk shoqëroheshin sipas gjamës së atyre anëve, ku e drejta për vajtuar e lëshuar dhimbjen u takonte burrave. Por na thanë, se Ndoci mbante nën krye biblën dhe pak njerëz pamë të bënin kryq mbi arkëmortin e tij.

9 qershor 2010

http://www.standard.al/index.php/kulture/7430.html

No comments: