Friday, June 20, 2008

NDOC GJETJA - Poeti me fytyrë Krishti - esè nga K.Traboini


Esè per Ndoc Gjetjen

POETI ME FYTYRË KRISHTI

Ndoc Gjetja është(nuk mund të përdorim kurrsesi pas datës 7 qershor 2010 kohën e shkuar të foljes), është pra një prej poetëve më pranë shpirtrave njerëzore në poezinë shqipe bashkëkohore, apo siç e ka cilësuar një studiues, poeti që di me çdo varg ti bjerë bukur tastierës së humanizmit. Ai këtë frymë e timbër të zërit të vet kurrë nuk u rrek t’a tradhëtonte. Besnik i patundur i bindjeve e prirjeve të veta, si një orakull, ai vazhdoi të shkruaj deri ne dite te fundit me atë sinqeritet siç u shfaq aq i befasishëm kur ishte veç se një gjimnazist në Lezhë. Poezi e thellë, e ndjerë, poezi në të cilën rrëfehet bota e njeriut, intimiteti, mardhëniet njerëzore, madje edhe me sendet rreth e rrotull. Ardhja e tij në letërsi shënoi disi rënien morale të shkelqimit të improvizuar të poetëve që përbënin triumviratin monist të letërsisë, të cilët, vertetë dinin të thurnin vargje, i kishin dërguar edhe jashtë për studime zhdanoviane, për të qënë kështu “poetë oborri”, siç i klasifikonte Frederik Rreshpja, por këtyre të kreut u mungonte sinqeriteti poetik. Shkruanin ca poema për ca shqiponja që flututonin lart, kur shqiptari zvarritej si krimb baltrave herë mbi dhè e herë nën dhè. Shkruanin për ca ugare e baltra krenare, për ca qytete industriale, për çelik, hekur e beton, e këto i shpalosnin në faqe gazetash me një krenari të shpifur, ndërkohë poetët që revoltoheshin si ndaj sistemit të dhunës por dhe imponimit krijues, përgjunjëshin, dhunoheshin, madje edhe pushkatoheshin si Trifon Xhaxhika, Vilson Blloshmi, Genci Leka dhe Havzi Nelaj. Ata, të mëdhejt e dikurshëm, edhe sot e ruajnë xhelozisht prijtarinë fodulle në poezinë shqipe me patericat e një të huaji që e njeh gjysëm globi larg poezinë shqipe, kritik që ka bërë riklasifikimin e poetëve elitare konformist krejt ngjashëm me çfarë e shiste si lakra tregu i realsocit. Po fundja le ta falenderojmë edhe për këtë, kritikun e huaj, se po na i mban me berihaj rosinantët e poezisë së monizmit, kasnecët letërsisë së diktaturës që sot kanë dalë në publik me një luk të ri. Por më kot. Se vertetë njerëzit e shihnin Konstandinin që ja kish shaluar rrasës së varrit si kalë, por edhe erën e baltrave të varrit ja ndjenin.Dhe thonin, ky kalorës egërshan nuk është i gjallë, është i vdekur, shkon i vdekuri me të gjallë, shkon i gjalli me të vdekur.
Natyrisht, kushdo që ka patur ambicjen për të fituar emrin poet asokohe të përdhunëshme, ka paguar haraçin e konformizmit. Keq apo mirë, me dashje apo pa dashje duhej ti këndontë një këngë lavdëruese tiranisë çdo autor, por këtu nuk është fjala për haraçin që paguhej me imponim, por për përjargjet e atyre që nën shëmbëllesen e diktatorit të madh, si të ishin marioneta teatri kukllash, bënin diktatorin e vogël në koperativen e shkrimtarëve bolshevikë.
Edhe Ndoc Gjetja e pagoi haraçin e vet historik. Por ndërkohë ai në tërësinë e tij mbeti poet i vertetë. Poezia e tij qytetare, ndryshe prej poezisë marciale të krerëve të letërsisë, kërkonte tek njeriu, tek perjetimi, tek intimiteti, tek ndjesitë e mira e të bukura. Ajo poezi u bë fort e dashur për lexuesit. Falë kësaj, Ndoc Gjetes i mbetën nga koha e krijimtarisë nën regjimin monist, shumë më tepër poezi se sa atyre që prodhonin me shumicë për të mbushur depot e propogandës komuniste me vepra që i imponoheshin popullit brenda dhe, falë parave pa kursim që jepte regjimi, tollombacja e kuqe fryhej edhe jashte shtetit, packa se deri me sot, askush nuk ka marrë përsipër të bëjë një hulumtin se sa para janë vënë nga rregjimi monist që letërsia realsocit të “çante bllokaden” imperialisto-revizioniste.
Megjithë fryrjet që u bëheshin agjitatorëve të letërsisë së partishme, të cilët zinin vend në tribuna, kongrese e kuvende krahas krerëve të diktaturës, ata nuk i shpëtonin dot sfidave nga brënda. Një sfidë ishte Kasëm Trebeshina. Nuk e lanë një çast të lirë por e kalben burgjeve e veprat ja dogjen me vendim të gjykatave të ashtuquajtur popullore.
Se të gjitha, edhe mbjellja e tokave me kokalla, në emër të popullit bëhej. U shfaq si meteor Bilal Xhaferri. Plasën ta hiqnin nga udha e letërsisë, ku dikujt i bënte hije mesadukej, sa një Fadil Paçram që bënte edhe partinë edhe letërsinë( por e pësoi nga të vetet), e anatemoi Bilal Xhaferrin publikisht, sa e degdisi të arratisej. Por edhe atje larg në Çikago e gjetën në vitin 1987 - vdekja enigmë që pikëlloi artdashësit por gëzoi jerarkët e letersisë moniste, që vollën vrer ndaj tij.
Krijimtaria e Frederik Rreshpës e Ndoc Gjetjes bashkuar me atë të Jorgo Bllacit e ndonjë tjetër, ishin gjithashtu sfida që ju bë poetëve të elitës së diktaturës. Frederikun pesimist e të zymtë që guxoi të flasë, e burgosën, Jorgo Bllacin e Sadri Ahmetin po ashtu. Ndocin që këndonte për njeriun e “vogël”, rrethanorin, e mbajtën pranë duke e konsideruar një poet provincial i parrezikshëm. Por duhet thënë se Ndoc Gjetja, pavarësisht një farë konformizmi, për shkak të fatalitetit të lindjes nën diktaturë, kurrë nuk e kishte toleruar kerkesën ndaj artit të vertetë. E vunë të drejtonte një revistë të vogël me titull “Ekran” rreth të cilës mblidheshin më së shumti krijuesit e filmit dhe teatrit. Kështu poeti lezhjan, por i lindur në Berdicë të Shkodrës mbijetoi.
Në verë të vitit 1993, Ndoc Gjetja u gjënd në një kurs në Athinë dhe me të thuajse takohesha përditë. Koha kish bërë të vetën, tranzicioni në vënd që t’a shpëtonte po e shkatrronte njeriun. Poetët e ndjenin vetën të braktisur. Shoqëria shqiptare në një marramendje prej të dehuri, nuk donte të dinte në kishte shkrimtarë. Shteti i shkërrmoqur nuk merrej as me poetët e as me lypsit e, çfarë është më e keqja, i konsideronte të një rangu të dy palët, sepse rëndonin buxhetin qeveritar me asistenca sociale.
Një punonjës administrate mund të bridhte gjithë botën, politikanët i bënin pushimet në Dubai, ndërsa poetët thuajse vdisnin për bukë. Të shisje banane e paketa cigaresh nëpër rrugë ishte e zakonëshme për krijuesit. Kohë tranzicioni, kohë e pamëshirshme e mizore. Ndoc Gjetja fliste me vete i tërhequr në botën e tij,... e shkruante. Poezia merrte tone proteste. Trajta dhembje. Dhembje njerëzore, siç gjithmonë i kish ndjerë e vuajtur në shpirtin e tij. Ja si u rrëfehej lexuesve të vet: Tridhjetë vjet e shtrylla talentin/ në një nga zyrat e shtetit monist/me kepucë të vjetra e përshkoja qytetin/ dhe gjithë njerëzit i doja si Krisht.
Kohët ishin diametralisht të kundërta, por thelbi i vuajtjes njerëzore mbeti, veç në trajta e forma të reja: O koha tranzicioni, kohë bishtdhelpre!/Si të ranë brakushet kështu poshtë këmbëve!/Unë po shkoj të mbyllem në Monastrin e Vetes/derisa të kryesh jashtëqitjen tënde.
Tek bisedonim në një kafene verore, pranë sheshit Omonia në Athinë në një ditë të bukur qershori, i shpreha dëshirën t’i bëja një cikël fotografish për fondin tim fotografik,por edhe për ti botuar në gazetën “Egnatia” bashkë me poezitë e tij. Kështu kam vepruar me miqtë e mi gjatë viteve të mërgimit në Greqi: Aristidh Kolia, Ndoc Gjetja, Robert Alia- Dragot, Mimoza e shoqja, Gazmend Kapllani, Zhaneta Ogranaj, Pilo Zyba, Genc Çobani, Englantina Kume, Marita Vuksani, Rajmonda Diamanti. I fotografoja, i botoja në gazetë si dhe në albumin poetik të emigrantëve por edhe i ruaja në arkivin tim. Vjen një kohë që edhe fotografitë si verë e vjetër çmohen, marrin vlera të reja, sepse janë imazhe të një kohe që kurrë nuk kthehet më. Po a do të me nxjerresh mirë, me pyeti Ndoci, tek pinte cigare i menduar. Atëherë ju ktheva e i thashë, se në mos mbetët i kënaqur Poeti, e në mos e nxjerrsha në portret si Krisht, do ta thyeja aparatin fotografik që sapo e kisha blerë në Monastiraq.
Fotografite dolën të bukura e Ndoci i pelqeu ato. Madje njëren nga fotot e vuri në kopertinën e librit të vet me poezi.
Që nga 1993 e sot kanë kaluar mjaft vite. Për Ndoc Gjetjen vazhdoi kalvari i mundimeve që e bëri fytyren e tij akoma më të përvujtun. Ata që e patën pasuar në Lezhë e që përbënin të ashtuquajturën “shkolla poetike lezhiane”, njëri i hyri politikës, tjetri diplomacisë e një tjetër atë të këshilltarit të kryeministrit të vendit, duke e lënë disi nën hije veprimtarinë poetike, për t’i bërë vend karierës që sjell mirëqenie dhe famë publike në media. Ndërsa Ndoci po ai. Madje akoma më keq, u largua nga Tirana e u kthye në vendlindje.
Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit i ndodhur në Amerikë, kam dëgjuar për poetin prej miqëve tanë të përbashkët si Elinda e Pjeter Jaku, të cilët patën mirësinë të më dërgonin vëllimin poetik të Ndoc Gjetës “Dhjata ime” botim i vitit 1998, të cilit ja kushtonte me pikëllim të birit të vet Renit i vrarë në moshë të re. Edhe shkrimtari Kujtim Dashi me ka folur për fatin e trishtueshëm të Ndoc Gjetjes.
Tragjedia në jetën e poetit ishtekryer e kjo ndjehej jo vetëm në terheqjen e tij jashtë vëmendjes publike, por edhe në poezine e tij me tone pikëllimi. Artistet e mëdhej edhe tragjeditë e dhembjet i kanë të mëdha, ndaj dhe veprat e tyre janë aq mbresëlënese dhe tronditëse, sepse artistet nuk qajnë me lotë, qajnë me shpirt e qajnë me art, me një art që e tejkalojn jetën e një njeriu, për tu rrokur në shpirtrat e brezave të tjerë.
Mortja s’ka çfarë u bën poeteve, artistët e mëdhej kanë lindje, por vdekja u harrohet. Ndaj them se, kushdo që e ka njohur poetin dhe poezinë e tij, e di mirëfilli se Ndoc Gjetja, si me pare edhe me pas, mbeti poeti që shkroi poezi për botën shpirtërore të njeriut,… dhe vetë ai ishte dhe mbeti njeriu i përvujtun, i thjeshtë, i vertetë, poeti me fytyren e Jezu Krishtit në poezinë shqipe.
Ajo fytyrë Krishti e mbuluar me një dhembje hyjnore, gjithmone do te kujtohet diku pranë vendvarrimit të kryetrimit Gjergj Kastrioti, ku rrinte me njerëz të thjeshtë, të cilët mbase nuk e dinin se ai ishte dhe mbetet një prej poetëve më në zë të letërsisë së sotme shqipe, zëri më njerëzor.

KOLEC TRABOINI
7 qershor 2010



Ndoc Gjetja lindi më 9 mars 1944 në fshatin Bërdicë të Shkodrës e ndrroi jetë me 7 qershor 2010. Kur ishte shtatë vjeç, prindërit e tij u vendosën me banim në Lezhë. Në vitin 1970, filloi të botojë poezitë e para. Merret vetëm me poezi. Eshtë autor i disa vëllimeve poetike dhe në mënyrë të padyshimtë një prej poetëve më në zë të letërsisë së sotme shqipe, zëri më njerëzor.

___________________________________________________

NDOC GJETJA

AUTOPORTRET

Vendbanimi:
Ne lezhe me trup dhe mendjen emigrante ne yje.
Profesioni:
Thures enderrash dhe mbrojtes besnik i tyre.
Gjendja civile:
Mbetje teknologjike e administrates shteterore
se nuk diti t'u jape perkuljet e duhura eproreve.
Gjatesia:
E majftueshme per te arritur nje dite mollen e ndaluar.
Pesha:
Sa vetja, sa ndjenja, sa fjala e thene dhe e shkruar.
Shenja te vecanta:
Nje pentagram rrudhash me nota trishtimimi ne balle
dhe nje mjeker e thinjur nga moslejimi kaq vite i saj.
Syte:
Kafe me nuanca te turbullta pasionesh te djegura.
Ngjyra:
E erret per fshehjene skuqjes nga faje te lehta.
Titujt:
I dekoruar Njeri qysh ne diten e lindjes nga Nena.
Bindjet:
Njeriun ne jete e ben te lumtur vetem njeriu.
Antipatite:
Burrat me grada, grate me shume tule dhe miu.
Simpatite:
Jezusi nga Nazareti, Don Kishoti i Mances dhe Buda.
Frikerat:
Shendoshja e trurit, uji, zjarri dhe turma.
Besimi:
Ne kryqin e tij qe e mban perdite ne shpine.
Pasuria:
Drita e mendjes me te cilen fitoj varferine.

EPITAF PER VETEN

Ketu prehet ai qe quhej Ndoc Gjetja
i cili pati ardhur gabimisht ne bote
nga vetja e tepruar nxirrte vjersha
dhe gjithe njerezit i quante shoke

Kur pa qe enderra kalkulohej me kompjuter
kur pa se idealet rrezoheshin ne kolltuce
kur jepte buzeqeshje dhe merrte skermitje
zuri syte me dore dhe vendosi te ikte.

Dhe shkoji e hyri ne manastirin e Unit
te shpetonte shpirtin nga gjuheligat e lehjes
...Pastaj e percollen ne banesen e fundit
me shpenzimet falas nga Bashkia e Lezhes.

Ne çastin e mbrame nje hene e pergjakur
e puthi ne balle dhe thirri "Nene"
Mos kerkoni te dini per te me teper
se iku sikur te mos kishte qene.


LUTJE

O Zot qe fatet tona ne dore i mbane
Na ruaj nga shendeti trashaman
na ruaj nga orekset e Sanco Pances
na ruaj nga hija e rende e fames
na ruaj nga faqeputhjet helmuese te Judes.
na ruaj nga orteku rrenimtare i turmes
na ruaj nga preardhja prej shimpanzese
na ruaj nga thyerja e timonit te krese.
na ruaj nga putra pushtetore e Njeshit
na ruaj nga engjejt,na ruaj nga dreqerit.
na ruaj perdite nga ftohja e miqesive
na ruaj o Zot secilin prej te gjitheve
une ruhem vete o Zot nga i ligu
por ti me ruaj nga shoku dhe miku.


DESHA

Desha të hyj në zemrën tënde.
U kërrusa, u kërrusa
u bëra lëmsh sa një top
por, prapë, e dashur
zemra jote nuk më nxuri dot.

Ndoshta dhe mund të hyja,
por të them të vërtetën
i krrusur s’mund të rrija
brenda teje gjithë jetën.

Zgjeroje zemrën ti!
Më tepër! Më tepër!
Dhe në qoftë se më nxe
do të hyj patjetër.


DASHURISE

O perëndeshë e gjithëpushtetshme
e universit mashkull-femër!
Bëj c'të duash me veten time
jam instrumenti yt i verbër.
Në jetë më solle kaq shumë dhimbje
dhe shqetësime pa mbarim
po s'jam ankuar kundër teje
as me gojë e as me shkrim.

Të jam nënshtruar e të nënshtrohem
gjersa në botë të jem i gjallë
ndën pushtetin tënd të përbotshëm
më pëlqen të jem skllav

Ma ktheve gjuhën në përcartje
më bëre plak me shpirt fëmijë
herë më hodhe qefinin krahëve
herë më ngrite gjer në yje.

Më hidh në zjarr, në det, në ferr!
Më hidh në baltë, më hidh në hon!
Vec të lutem mos më lër...
në atë vend ku ti mungon!

ENDERR

Mjaft ndejtem shtrire ketu ne bar!
Mjaft u puthem e dhame perkedhelje!
Eja te hipim mbi ate re te bardhe
edhe te ikim nga kjo bote-lanete.

Do zbresim ne planetin me te afert
nuk prish pune pse je shtatzene
atje do lindim dy binjake
nje djale-yll e nje vajze-hene

Le te jete planeti pa nje frymor!
Te kete veç ujera, pyje, lendina
Me puthjet tona do krijojme
nje popull te madh sa Kina.



_______________________________





KOLEC TRABOINI
DAVID E MOISI
Mikut tim poet Ndoc Gjetja

Heu Ndoc Gjetja, ku ka mbrrit burri
me pa gjoksin lakuriq të një grekje të bukur
si një skulpturë e Fidias- e vehtja me ju duk
si me kene vetë lakuriq në mes njerëzve.

Paj burri, kur nuk asht David lakuriq i Mikelanxhelos
duhet me kenë Moisi i menduem
tash kurrsesi nuk po di çka po ndodh me shqiptarin
David pa kokrra e Moisi pa tru...

Thonë, çdo gja për Davidin e kurrgja për Moisiun
mjer mishi që s'ha mish thotë njeriu...
si nuk u gjend një gjeth fiku a degë dafine
me mbulue çka të lbyr sytë ne marramendje.

Heu Ndoc Gjetja miku im në Athinë
Evropa po të këndell gjoksjashtë kah vehtja
ty tash po të zgjohen shtatëqind dreqen nën lekurë
e je tuj e fut në shtrat si ta kishe grua.

KOLEC TRABOINI
Athinë, 12 Qershor 1993

Sunday, June 8, 2008

DHJATA IME - NDOC GJETJA

Poezi nga Ndoc Gjetja

DASHURISE

O perëndeshë e gjithëpushtetshme
e universit mashkull-femër!
Bëj c'të duash me veten time
jam instrumenti yt i verbër.
Në jetë më solle kaq shumë dhimbje
dhe shqetësime pa mbarim
po s'jam ankuar kundër teje
as me gojë e as me shkrim.


Të jam nënshtruar e të nënshtrohem
gjersa në botë të jem i gjallë
ndën pushtetin tënd të përbotshëm
më pëlqen të jem skllav


Ma ktheve gjuhën në përcartje
më bëre plak me shpirt fëmijë
herë më hodhe qefinin krahëve
herë më ngrite gjer në yje.

Më hidh në zjarr, në det, në ferr!
Më hidh në baltë, më hidh në hon!
Vec të lutem mos më lër...
në atë vend ku ti mungon!


AUTOPORTRET

Vendbanimi:
Ne lezhe me trup dhe mendjen emigrante ne yje.

Profesioni:
Thures enderrash dhe mbrojtes besnik i tyre.

Gjendja civile:
Mbetje teknologjike e administrates shteterore
se nuk diti t'u jape perkuljet e duhura eproreve.

Gjatesia:
E majftueshme per te arritur nje dite mollen e ndaluar.

Pesha:
Sa vetja, sa ndjenja, sa fjala e thene dhe e shkruar.

Shenja te vecanta:
Nje pentagram rrudhash me nota trishtimimi ne balle
dhe nje mjeker e thinjur nga moslejimi kaq vite i saj.

Syte:
Kafe me nuanca te turbullta pasionesh te djegura.

Ngjyra:
E erret per fshehjene skuqjes nga faje te lehta.

Titujt:
I dekoruar Njeri qysh ne diten e lindjes nga Nena.

Bindjet:
Njeriun ne jete e ben te lumtur vetem njeriu.

Antipatite:
Burrat me grada, grate me shume tule dhe miu.

Simpatite:
Jezusi nga Nazareti, Don Kishoti i Mances dhe Buda.

Frikerat:
Shendoshja e trurit, uji, zjarri dhe turma.

Besimi:
Ne kryqin e tij qe e mban perdite ne shpine.

Pasuria:
Drita e mendjes me te cilen fitoj varferine.



EPITAF PER VETEN


Ketu prehet ai qe quhej Ndoc Gjetja
i cili pati ardhur gabimisht ne bote
nga vetja e tepruar nxirrte vjersha
dhe gjithe njerezit i quante shoke


Kur pa qe enderra kalkulohej me kompjuter
kur pa se idealet rrezoheshin ne kolltuce
kur jepte buzeqeshje dhe merrte skermitje
zuri syte me dore dhe vendosi te ikte.

Dhe shkoji e hyri ne manastirin e Unit
te shpetonte shpirtin nga gjuheligat e lehjes
...Pastaj e percollen ne banesen e fundit
me shpenzimet falas nga Bashkia e Lezhes.

Ne castin e mbrame nje hene e pergjakur
e puthi ne balle dhe thirri "Nene"
Mos kerkoni te dini per te me teper
se iku sikur te mos kishte qene.

LUTJE

O Zot qe fatet tona ne dore i mbane
Na ruaj nga shendeti trashaman
na ruaj nga orekset e Sanco Pances
na ruaj nga hija e rende e fames
na ruaj nga faqeputhjet helmuese te Judes.
na ruaj nga orteku rrenimtare i turmes
na ruaj nga preardhja prej shimpanzese
na ruaj nga thyerja e timonit te krese.
na ruaj nga putra pushtetore e Njeshit
na ruaj nga engjejt,na ruaj nga dreqerit.
na ruaj perdite nga ftohja e miqesive
na ruaj o Zot secilin prej te gjitheve
une ruhem vete o Zot nga i ligu
por ti me ruaj nga shoku dhe miku.



ENDERR

Mjaft ndejtem shtrire ketu ne bar!
Mjaft u puthem e dhame perkedhelje!
Eja te hipim mbi ate re te bardhe
edhe te ikim nga kjo bote-lanete.

Do zbresim ne planetin me te afert
nuk prish pune pse je shtatzene
atje do lindim dy binjake
nje djale-yll e nje vajze-hene

Le te jete planeti pa nje frymor!
Te kete vec ujera, pyje, lendina
Me puthjet tona do krijojme
nje popull te madh sa Kina.

Fjalët e fundit të Ndoc Gjetjes

Fjalët e fundit të Ndoc Gjetjes: Duhet rrit ndera grues!

Nga VIOLETA MURATI


Në bibliotekën modeste, gjetëm të fshehur librin e fundit, në dorëshkrim: Të krijosh duke Krishtëruar, mbresat pse po bëhej gati libri, bashkë me portretin e miqve


“Duhet rrit ndera grues, sepse më ka nejt, nja aty, si furrik pule, te kambët”... fjalët e fundit të Ndoc Gjetjes, thënë dashamirësve për bashkëshorten e tij, tamam siç ishte zakoni vetëm tri ditë para se të mbyllte sytë. Leza, e veshur e gjitha në të zeza, me kokën ulur, e fytyrën rrethuar me copën e zezë, ku sytë mezi fshihen nga lotët, pak larg kokës së bashkëshortit të saj, - jo siç e kanë zakon ato anë, ngre dorën, e përshëndet, e vazhdimisht thotë: “Falemners të gjithëve! Falemners që erdhët!”.

E duke u përpjekur me gjet ndonjë moment të lirë, biseda me të është krejt e pamundur. Duke i shprehur ngushëllimet, e pyesim se çfarë ka qenë në jetën e saj Ndoci, shtang, dridhet nga mospërmbajtja, me zë tepër të ulët, në paradoks të vuajtjeve të tyre, sikur ta kishin dashur atë, na pëshpërit: “Kemi kaluar shumë mirë, kemi pas shumë fatkeqësi... e vështirë të flas”. “E dita e tij, ishte vetëm të shkruarit; krijonte, shkruante gjithë ditën”, - thotë Leza, dhe mblidhet grusht, e dora i fsheh fytyrën, nga lotët dhe dridhja e zërit.

Holli i lartë, i mbajtur i bibliotekës publike të qytetit të Lezhës priste njerëz, gra në të zeza dhe miq e të afërm të Ndoc Gjetjes. Ishte ceremoni përcjelljeje e organizuar nga Bashkia e Lezhës, ku në mjediset e bibliotekës publike, parulla e shkruar blu në të kuqe, në ballë të portës, mu aty ku ishte vendosur arkëmorti i poetit, shkruante: “Mirësevini në bibliotekën tonë!”.

Dje, nuk ishte ditë për mirë për të qenë aty. Vendosur në një anë njerëzit e familjes, kryesisht gra në të zeza, në anë tjetër, rreshti i pritjes nga burrat... dhe ishin poeti Preç Zogaj, studiuesi dhe mik i afërt i Ndoc Gjetjes, Kujtim Dashi e ky na tregon se aty kanë bërë homazh gjithë pushtetarët lokalë dhe qytetarë të Lezhës, e shkrimtarë lezhjanë, të ardhur dhe nga Tirana. Nuk kishte gëlim kamerash, si në ditë morti, në lajmet e zeza të kryeqytetit, kur personalitete të kulturës janë përcjellë.

Dhe ceremonia e këtij poeti në Lezhë, ndonëse dje pëshpëritej se vdekja mori një njeri të jashtëzakonshëm, plot dhembshuri, një njeri special, të dhënë pas njerëzve, gati një fytyrë me Krishtin, si në vuajtje dhe dashuri, se në lagjen e tij në “Skënderbeg”, çdo ditë përshëndetje me komshinjtë e tij, që ishin magjypë e u shërbente kafe e raki... ky poet dje nuk pati aq jehonën e ikjes, si qytetar, por si duket zyrtarët nuk e kishin lodhur shumë mendjen që poeti të mos harrohej për herë të fundit. Ishte ceremoni modeste, heshtje në hollë dhe njerëzit e tij të afërt, bënin kryqin në krye, e puthnin në ballë, e lëshonin duart e ngushëllimit. Nga Tirana, poetët e Lezhës ishin të paktë, po ashtu dhe ata që mbahen e nderojnë veprat e njëri-tjetrit në kryeqytet nuk u panë. Ndryshe do të kishte qenë puna po të kishte sosur jetën Ndoc Gjetja në Tiranë, si njeri i projekteve në ministri, apo bisedave intelektuale në televizione. Na u desh të shkonim deri në shtëpinë e tij, të shikonim si u bë legjendë vuajtja, dhimbja dhe mirësia e këtij njeriu. Nipi i tij, Endri, që vinte nga emigrimi, na shoqëroi deri në shtëpi, nga biblioteka drejt rrugës plot pluhur, zhurmë, pisk vape në shtëpinë ku në pragportë qëndronte një grua në të zeza. Ishte komshia dhe karrigen e kishte vendosur gati në rrugë, për të pritur njerëzit, e ruajtur shtëpinë... Duhej të zbrisje disa shkallë, pak si në bodrum dhe shtëpia ishte krejt e re... Gruaja në të zezë, e ulur te dera, nxitoi të na thoshte; është ndërtuar tani, se ka qenë kasolle, vetëm kati i parë, por e mbytën shirat. Kështu na tha dhe drejtori i Parkut Arkeologjik të Lezhës, Salvador Gjeçi, I cili bashkë me piktorin lezhjan, Pashk Përvathi, kanë qenë iniciuesit e ndërtimit të shtëpisë, para tre vjetësh. Mbahet mend si një nga rastet e jashtëzakonshme në këtë qytet, ku plot dashamir të poetit, krijuan një fond për mbështetje, diku në 15 milionë lekë (të vjetra). Gjeçi, tregon miqësinë dhe njëkohësisht njeriun që ishte tek Ndoc Gjetja, se si u shërbente kafe komshinjve të tij, magjypëve, të ardhur në atë lagje nga verilindja, pas ’90-ës. “Qëndrimi që ka mbajt qyteti ndaj tij ka qenë jashtëzakonisht dashamir dhe nuk ka ndodh në asnjë qytet tjetër”, - thotë Salvadori, i cili kujton se Ndoci jetonte në një kasolle, ku muri ishte bërë jeshil në të zezë nga lagështira, gati në bodrum. Iku nga shtëpia nga ky hall, sepse nuk mund të jetonte më aty dhe mori një shtëpi me qira. Po në këtë vite u sëmur dhe zuri spitalin. I themi, se mos lagështira ishte shkaku i sëmundjes së Ndocit, por Salvadori tund kokën si mohim, duke thënë se ka plot vuajtje më të mëdha, të tjera, që padyshim ishte vdekja e të birit, në ’97-ën. Plot halle të tjera, e në këto kushte, në spital dhe në një shtëpi me qira, pa punë me një pension... Gjeçi thotë se takoi piktorin, Pashk Përvathi, duke i propozuar nismën, dhe me to u mblodhën edhe biznesmenë lezhjanë. Dhe u ndërtua shtëpia. Në portën e vogël, kube, ishte emri i kryefamiljarit dhe ngjitur në murin e ngushtë të saj, emri i Ndoc Gjetjes, që nuk ishte më. “Të paktën në vitet e fundit jetoi me dinjitet, i qetë. Ishte një njeri i veçantë”, - e mbyll Salvadori, dhe ai në ndjesi krenarie se kishin bërë për këtë njeri, sa ishte gjallë dhe tani kishin ç’të tregonin, pa i zënë turpi për lezhjanin e tyre, poet.

Në katin e dytë, të shtëpisë, në qoshkën e vogël, vetëm një karrige kauçuku dhe përballë një raft modest, i vogël, ngjeshur me libra, për të cilën miqtë e tij na treguan, se në Balldren, ku kishte jetuar deri në ’93, Ndoci kishte pasur një bibliotekë të rrallë, të madhe, me libra unikë, por shtëpia ishte përmbytur më gjithë to, dhe tani në shtëpinë e tij në Lezhë janë vetëm libra të fundmë... gruaja që rrinte në pragun e shtëpisë, si pritëse, na thotë, se mu aty te qoshku, përballë raftit të vogël me libra ka qenë një tavolinë ku drejtuar nga dritaret, ulej e shkruante Ndoci. “Por e kanë hequr për mort”, - na tha.

Nipi i poetit, hap kanatet e bibliotekës së vogël, na tregon albumin e fotove, një kërshëri e tij, e nxitur dhe prej nesh, pasi ishim për herë të parë aty... kur në një kopertinë të zezë, marrë prej ndonjë kalendari, që shënonte vitin 2007, në copa letre, të ngjitura, e disa të shkitura, mbi karton gri, mbushur me shënime, me shkrim dore shkruhej: Të krijosh duke Krishtëruar.

Ishte një punë e përfunduar, ishin vënë tituj, bërë korrigjime me shkrim dore, prishur e nënvizuar... por e palidhur, fletë që ndaheshin në kapituj, e sipër tyre ishin shënime, si tituj, me laps e përforcuar me stilolaps: “Mbi jetën time”, Ndoc Gjetja për veten.

Një biografi për veten, copa letra të ngjitura, të korrektuara, nga dorëshkrimi i botimit të parë; diku tjetër shkëpusim një fjali... “Jeta e njeriut është e shenjtë asnjë grimcë e saj nuk duhet t’ia falësh djallit”; rreth procesit krijues të poezisë, refleksione, mbi “unë poezinë nuk e kam shkrimtarësi por shprehësi”, ese që po e ribotojmë nën kujdesin e Kujtim Dashit, i vetmi që është marrë me krijimtarinë e Ndoc Gjetjes; Si duhet ta lexojmë poezinë - “Mungesa e gjendjes poetike nuk mbushet me fjalë”; ka mbledhur çfarë ka shkruar vetë, intervistuar, dorëshkrime, intervista nga mediat.

Në dy kapakë, fletë të hollë, të bardhë me shkrim dore shkruhej: “Portrete miqsh”, emrat e poshtëshënuar janë: Ismail Kadare, Petro Zheji, Petro Marko. Ndërsa njihet miqësia e tij me shkrimtarin lezhjan, Rudolf Marku, i cili pritej dje të vinte nga Londra:

“Rudolf Marku pas Agim Isakut është njeriu që kujtoj shpesh herë. Kam rreth 13 vjet pa e takuar dhe nuk di ku rron e si rron. Në kohën e monizmit kemi derdhur shumë lumenj bisedash thuajse përditë e për gjithçka, Që nga problemet e galatikave e deri te kotherja e bukës”... Rudolf Marku është nga miqtë më të përmendur në librin-projekt, dorëshkrim, mbështjellë me karton gri, e siguruar me kopertinë të trashë të zezë - ndërsa një foto me Kadarenë shkëpusim nga albumi i tij fotografik, e paralel për njohjen me Kadarenë, Ndoc Gjetja kujton: “Në 1985 me rastin e botimit e romanit “Dimri i madh” në Gjermani nga shtëpia botuese “Neus Verlag” u ftua për një vizitë 3-javore shkrimtari ynë, Ismail Kadare. Me të pata rastin më fatlum të shkoja edhe unë. Është e vërtetë se këtë rast fatlum ma përgatiti kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, Dritëro Agolli i nxitur nga dëshira e tij fisnike për të më hapur horizontin tim si krijues... Mbresat janë të shumta por vë në spikamë ato që më janë ngulitur më thellë”. Askush nga miqtë në ceremoninë mortore nuk dinin mbi këtë libër të përgatitur, e të lënë në bibliotekën e tij modeste, brenda raftit. Ndërsa Ndoci vazhdon vëmendjen ndaj miqve, e për këtë gjejmë të mbledhur, e rreshtuar në librin e tij, “Të krijosh për krishterimin”, edhe poezitë që i janë kushtuar atij, poetit, e të bien në sy poezia e Rudolf Markut, apo e mikut tjetër, Kolec Traboinit. Libri është mjaft i trashë, e duket voluminoz, pasi aty Gjetja si duket ka dashur të përmbledhë gjithë jetën e tij, ashtu siç është shprehur në media, se mjafton një libër jete. E përket arsye aty gjejmë dhe kapitullin “shkolla poetike e Lezhës”, “Sfida, poetike”, “Sofra poetike e Lezhës” dhe na tërheq vëmendjen një fjali në krye, nën shënimin “Mbresa”, vizita e parë në Kosovë, Gjetja shkruan: “Zemra më rrihte fort, më dukej e papërcaktuar ndjesia që provoja thellë në shpirt. Në këtë ndjesi ishin të përziera lëmshi emocional, shija që të jep shkelja në një tokë, e cila ka qenë e ndaluar gjatë gjithë jetës për shkaqe krejt absurde. Gëzimi që po takohesha me truallin e ndaluar të dheut amë, të copëtuar nga një padrejtësi historike, padurimi derisa të përqafosh njerëzit me të cilët ke të përbashkët gjakun, dhe gjuhën por që nuk ke pasur kurrë rastin t’jua shtrëngosh dorën. Një farë bezdisjeje, për të takuar oficerët dhe nëpunësit sllavë me atë gjuhën e tyre kërcitëse, gjithë bashkëtingëllore br, pr etj…”. Thuhej se asnjë vizitë tjetër nuk do t’i vinte në mbresë sa Kosova.

Studiuesi Kujtim Dashi, i vetmi që ka përgatitur monografinë e Ndoc Gjetjes, na thotë se do t’i botojnë në një libër të plotë të gjithë krijimtarinë, ose do të jetë një kolanë, kjo sipas fjalëve me botuesin e “Toenës”. E në këtë rast, për ironi në mjediset e Ministrisë së Kulturës dje në orën 11 po ndaheshin çmimet për botuesit, për më të mirin, duke vlerësuar kujdestarin, shtetin, por asnjë nderim, një shenjë, a fjalë në ceremoni nga bizneset e librit, për shkrimtarin, për këtë poet të harruar në Lezhë. Nga ky paradoks zyrtar, miku i poetit, që qëndronte gjithë kohës në krye të rreshtit të burrave, Kujtim Dashi, tha se i ka thënë bashkëshortes së Ndocit, të mos prekë asgjë nga ç’ka lënë dorëshkrime. “Do më duhet ta kontrolloj fletë për fletë”, - thotë. Nga fundi i librit, një shënim “Autografe poetësh, kolegë”, emrat e tyre ishin Rudolf Marku, Preç Zogaj, Ismail Kadare, Xhevahir Spahiu, Frederik Rrepshpja, Ramiz Lika etj., kapitulli i fundit mbyllej me fjalinë: thelbi i poezisë sime është Lezha. Rrallë na vijën dedikime të tilla; qytete dhe njerëz. Largohemi nga shtëpia, duke e lënë bosh, pa njerëz, dhe rikthimi në bibliotekën publike të Lezhës, ishte deri në përcjelljen e fundit të poetit, drejt varrezave të qytetit. Mbi varrin e poetit, vajtuan dy gra, pak fjalë, dhe duart me dhe nuk shoqëroheshin sipas gjamës së atyre anëve, ku e drejta për vajtuar e lëshuar dhimbjen u takonte burrave. Por na thanë, se Ndoci mbante nën krye biblën dhe pak njerëz pamë të bënin kryq mbi arkëmortin e tij.

9 qershor 2010

http://www.standard.al/index.php/kulture/7430.html

Ndoc Gjetja-Poeti i Dhiatës Poetike- nga Ndue Ukaj



Ndoc Gjetja - Poeti i Dhiatës Poetike

Ndue Ukaj

Në çdo kulturë letrare, poetët që shkruajnë Dhiatën poetike, mbesin emblema të përjetësuara e të ngritura në piedestalet më të lartë nacionale. Nuk ndodh shpesh që të shkruhet kjo Dhiatë, sepse për të shkruar Atë, lypsen frymëzime të rralla, e të cilat zaten ju vijnë vetëm njerëzve të zgjedhur. Ndoc Gjetaj ishte i tillë, i predestinuar për të bërë punën e krijuesit. Ai iku, me fytyrën e Krishtit të mbuluar me një dhembje hyjnore (Kolec Traboini), por e shkroi Dhiatën e poezisë shqipe, një shkëndijë që do të gjallojë për jetë e mote, ngase atë nuk mund ta mbuloj terri e as antipoezia, të cilat i luftoi mjeshtërisht.
Poezia e Ndoc Gjetjes “është kurora e letërsisë imagjinative, sepse ajo është një mënyrë profetike”(Harold Bloom), e cila parakoncepton jetën e poetit, perceptimet e tij për botën përreth tij, për fenomene tokësor e qiellore, për dashurinë, si toposin themelor të poezisë së tij. Kësisoj, ajo bëhet një shkollë e veçantë poetike, e cila komunikon një gjendje kulturore të posaçme, brenda një konteksti të zymtë poetik nëpër të cilën gjalloj poezia e tij dhe ai vetë. Nëpër këtë ferr, poezia e tij triumfoi, me armët e fuqishme, që janë metaforat e tij goditëse, dashuria e tij e pafundme dhe morali i fuqishëm.
Poeti Gjetja, këndoi me gjuhën poetike, të derdhur si në bronz. Ai, materien poetike e nxori nga jeta përreth tij, nga përjetimet subjektive, të cilat i perceptoi dhe i përjetoi me sensin e krijuesit, dhe i transfiguroi në poezi, me gjuhën e orakullit. Ai shfrytëzoi bukur traditën e madhe e letërsisë, për t’u shndërruar në një promotor të saj, në një poet që vlerësohet me vend, si simbol i poetit të dashurisë. Prandaj, me plotë të drejtë mund të themi se ai pati funksionin e orakullit të frymëzuar në letërsinë shqipe, edhe pse i heshtur, pa pelerinën e dekoratave dhe pa duartrokitjet e rreme. E pra, ai ndërtoj kurorën poetike, vetëm me poezi të bukura, sikur që është poezia e antologjike “Epitaf për vetën” , në të cilën profetizon jetën e tij deri në çastin kur mbylli sytë, humanizmin e pashembullt dhe artin e kulluar poetik: “nga vetja e tepruar nxirrte vjersha/ dhe gjithë njerëzit i quante shoke”. Ky subjekt lirikë, do të tkurret në jetë e poezi, për të lënë vargje emblematike në letërsi. Vuajta e tij, ishte predestinim për të krijuar një poezi kaq madhështor për ne, kaq humane, kaq të bukur, si: “Dhe shkoi e hyri ne manastirin e Unit/ te shpëtonte shpirtin nga gjuheligat e lehjes/...Pastaj e përcollën ne banesën e fundit/ me shpenzimet falas nga Bashkia e Lezhës”.
Duke vazhduar traditën e poezisë shqipe të krijuar nga Qarku letrar dhe kulturor i Shkodrës, Ndoc Gjetja vazhdoi ta thelloj atë, me nuanca të reja moderne, dhe bashkë me Frederik Reshpjen, përbën boshtin e poezisë bashkëkohore shqipe, të asaj poezi që nëpër shëmtitë letrare, kaloj e panjollë për në parnasin poetik.
Ndoc Gjetja, poeti që jetoi dhe shkroi se: “Poetet jetojnë ne Qytetin e Ideve” (Qyteti i ideve), ishte një kreshtë e madh e thurur me ide, me rravgime poetike nga më të çuditshmet dhe me imagjinatë shumë të bujshme, siç janë poetet e mëdhenj. Ai la tharmin shpirtit të tij poetik, si testament feje, la një poezi të frymëzuar nga dhiata shpirtit të tij, që bëhet identifikim subjektiv dhe shkreptinë shkëndija dashuri, tamam si prototipi i tij Jezu Krishtit, kryqin e të cilit e mban përditë ne shpine (Autoportret) dhe me të rrugëton drejtë ne Kishën Apostolike te Poezisë (Curriculum). Janë të paktë ata poetë që e fjalën poetike e peshojnë aq shumë, për ta ndërtuar tempullin e poezisë, një aureolë poetike, që mishëron të bukurën dhe të këndshmen, në funksione thellësisht etike, sikurse është poezia e Gjetjes- një poezi e ndërtuar nga sekuenca jete e që bëhen shkëndija poezie. E tillë është poezia e tij e përjetshme; poezi që jashtë çdo funksioni praktikë, ka synim të bukurën, bëhet kurorë e së bukurës dhe si e tillë mbetet model autentik i poezisë shqipe.
Shkrimtari John Milton, pat shkruar se një: “Një i ditur, është si një qiri që ka dashurinë dhe dëshirën, të gjithë njerëzit t’i ndriçoi”. Këto tipare kaq të fisme, kaq hyjnore, kaq njerëzore, kaq të jashtëzakonshëm, i ngërthen poezia e Ndoc Gjetjes, e cila rrezaton ngrohtësi, freski, dashuri, humanizëm, në shumëtrajtësinë e saj dhe në shumëdimensionalitetin e saj- të diskursit dhe të poetikës. Ai krijoi një poezi elitare, thellësisht të inspiruar, të ndjerë e të jetuar. Kështu përshembull, poezia e tij “Dashuria” është një ungjill poetik, i konstruktuar me një diskurs të fuqishëm lirikë, në të cilën, kjo ndjenjë sublime dhe superiore njerëzore, ngrihet në lartësitë e plotfuqishme, para së cilës poeti dorëzohet, madje edhe atëherë kur ajo i shkakton aq shumë dhembje. Vargjet e kësaj poezie, janë drithërimat e shpirtit të ekzaltuar poetik, të njeriut të pasionuar pafundësisht për të bukurën, të njeriut që di të dashuroj deri në infinit. E, ketë dashuri e ngjizi në vargje të bukura, të cilat të shtangin trupin për fuqinë që kanë dhe të tronditin mendjen për mesazhet që përçojnë: “O perëndeshë e gjithëpushtetshme/ e universit mashkull-femër!/ Bëj ç'të duash me veten time/ jam instrumenti yt i verbër/ Në jetë më solle kaq shumë dhimbje/ dhe shqetësime pa mbarim/ po s'jam ankuar kundër teje/ as me gojë e as me shkrim/ Më hidh në zjarr, në det, në ferr!/ Më hidh në baltë, më hidh në hon!/ Veç të lutem mos më lër.../në atë vend ku ti mungon! “
Poezia e tij, me tiparet e saj moderne, shquhet për ritmet e brendshme poetike, të cilat përcjellin dhembjet e subjektit lirik, si notat e një simfonie të përkryer. Poezia e tij, tingëllon si muzika e shpirtit të dëlirë, ku lexuesi i pasionuar dhe lexuesi i kultivuar i letërsisë, prehen me madhështinë e humanizmit, me artin e fuqishëm që vihet në funksion të edukimit, të moralit, të së bukurës, tipare këto që e shquajnë atë dhe e bëjnë krejtësisht të veçantë në letërsinë shqipe. Ky është poeti që imagjinatën e ka të pafund dhe ajo i lundron mistereve të poezisë, ku vetëm një krijues i rrallë dhe me imagjinatë të bujshme depërton, siç del te vargjet: “Ne rendin e pafund te numrave te plote/ matematikisht, ti je me i vogli/ por, ti papritur u bere i madh/ ne saje te zerove qe te shkojnë pas” “Njëshit”). Këto zero, simbolikisht shprehin botën e vetmuar të poetit, të cilës me kohë i bashkëngjiten koret e njerëzve, lexuesit e pasionuar. Janë këto zero, të cilat i ngjiten poezisë së Gjetjes, këtij Njëshi poetik.
Në poezinë bashkëkohore shqiptare, Ndoc Gjetja nuk do të mbahet mend si poeti që mjeli lopën e shterur të patriotizmit poetik, siç do të na thoshte Krist Maloku, nuk do të mbahet mend si poet që glorifikoi rrejshëm idetë e revolucionit dhe artin e masave, ai nuk e pranoi shëmtinë e kohës dhe ideologjisë, sepse ishte i formësuar për të qenë “kryeneç” me poezinë e tij të papërkulur: “Gjendja civile: Mbetje teknologjike e administratës shtetërore/ se nuk diti t'u japë përkuljet e duhura eproreve” (Autoportret). Mirëpo, ai krijoi një letërsi thellësisht të bukur, të inspiruar nga e bukura, pikërisht atë lloj të letërsisë që e sugjeron shkrimtari i mirënjohur amerikan, William Faulkner, pra një letërsi të bazuar te dashuria, nderi, dhembshuria, krenaria, mëshira, sakrifica, vuajta, dramat njerëzore, etj. Këto perceptime për letërsinë, në rrafshet universale gjallojnë në mënyrë harmonike, brenda tematikës së poezisë së Ndoc Gjetjes dhe e bëjnë atë një poetik modeluese në poezinë shqipe. Ai ju shmang temave patetike, artit poetik deskriptiv dhe si një orakull me frymëzime mbitokësore, krijoi një poezi të inspiruar, subjektive, një lirikë të pastër, që relacionin mes së bukurës dhe produktit të saj- poezisë, e vuri në suaza të ndjenjave dhe perceptimeve të tij imagjinative të pakufishme. Poezia e tij shquhet për forcën e ideve, për universin e pafundmë të komunikimeve që ndërton, me botën e madhe të letërsisë, me antikitetin dhe Biblën, këto dy strombullara të letërsisë perëndimore. Dhiata biblike bëhet shënjues i poezisë së tij në librin me titull, “Dhiata ime”. Ndërsa antika vjen si evokim dhe reminishencë e kontesktualizuar, në poezinë e tij, përmes poezisë së shkëlqyer “Herakliti” dhe vargjeve jashtëzakonisht të realizuara bukur, si në planin tematik, gjithashtu në atë stilistik: ”Ne moshen 70 vjec, filozofi Heraklit/pati kërkuar ti nxjerrin syte/ -Pse Heraklit? -e pyeten krirurgu dhe shokët/ -Me pengojnë, -tha, -për te pare boten/ Dhe vrimat e veshëve i mbylli me dylle/ te dëgjoje zërat e vetvetes me mire./ Dhe rrinte i ngrire me ore te tera/ duke ndjellur ne koke mendime te thella/ Tmerrohej nga prekja e sendeve me duar/ çdo send e quante "një djalle i shëmtuar"/ Për te ruajtur te pastër dashurinë, i gjori/ tere jetën një femër për grua s'e mori./ S'kishte shtëpi dhe u thoshte te gjithëve/ -Kam lindur dhe banoj ne kokën time”.
Ashtu sikurse Dhiata që vlerësohet të jetë një libër i veçantë në kuadër të librave të panumërt në rruzullin tokësor dhe burim frymëzim për jete e poezie, nëpër breza të tërë, si mishërim i fjalës Hyjnore, gjithashtu, jeta e Ndoc Gjetjes është mishërim i veçantisë njerëzore dhe poezia e tij, mishërim i kësaj fuqie imagjinative poetike. Prandaj, si e tillë do të mbetet një testament poetik i bukur i poezisë shqipe.
Nëse do të kërkohej një poet i përveçëm në poezinë shqipe, që diti t’iu ik shablloneve, dogmave, që diti të krijoj një poezi thellësisht të inspiruar, me tipare tokësore dhe qiellore, një poezi që gufon nga ndjenjat e fuqishme të dashurisë, një poezi që komunikon fuqishëm me gjuhën e artit, pa dyshim se njëri nga ta do të jetë Ndoc Gjetja. Këtë fuqi poetike e hasim mjeshtërisht te poezia “Femrave”:
”Pa ju ne jemi gjysma njerëzish/ se ju për ne jeni gjysma tjetër/ Tek dashuria bëhemi te plote as te mangët e as te tepërt/ Sikur te dija te thurja sentenca/ ashtu siç fatmirësisht bënë Saadiu/ Juve do t’ju jepja metaforën Vreshta/ Për vete do te metaforën shiu”.
Poezia e tij, është një arenë e tendosjeve të pafundme, e dhembjeve të mëdha dhe si e tillë, bëhet reflektim emocional i shpirtit të trazuar, të cilin e rrahin fuqishëm tallazet e një jete bizare, e një jete, e cila i shëmbëllen vuajtjeve të kryqit të Krishtit. Poezia e tij, me gjithë tonin e fuqishëm të dhembjes që ka, me gjithë tallazet e fuqishme shpirtërore që përçon, asnjëherë nuk është montone, por është një reflektim thellësish njerëzor, emocional, ku lexuesi ndjen dridhmat e bukura, me gjuhën e ëmbël poetike. Edhe kur godiste dukuritë degjeneruese përreth tij, këtë e bënte me një pedanteri poetike: “Ç'mrekulli do te kishte qene/ sikur te jepnin qe sot dorëheqjen/ presidenti dhe çdo lloji ministri!/ Dhe ta merrte pushtetin Shpirti” (”Sikur”)
Ndoc Gjetja iku, duke lënë testamentin e fjalës poetike, që sikur shenja e tij poetike, është ylli udhërrëfyes, i cili do të rrezatoj dhe ndriçoj brezat në poezinë shqipe. Poezia e tij është një dhiatë e shpirtit hyjnor dhe kësisoj do të vlerësohet në poezinë shqipe.